Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete mori pjesë në eventin e prezantimit të gjetjeve të anketimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2023”. Ministri vlerësoi anketimin e realizuar nga FIAA, i cili vëren përmirësim të ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të klimës së të bërit biznes dhe pritshmëritë për përmirësim të mëtejshëm.
“Përmirësimi i një sërë treguesve të anketimit, si ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me administratën tatimore e doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim”, tha Mete, ndërsa pohoi se mbeten ende hapësira për përmirësim të mëtejshëm.
Ministri u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar përmes politikave dhe nismave të caktuara për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.
Mete theksoi se forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të ndërmarrë reforma dhe politika të qëndrueshme, të cilat do t’i shërbejnë vendit në periudhën afatgjatë. Vitin e kaluar Investimet e Huaja Direkte kapën një shifër rekord prej 1.3 miliardë euro dhe trendi vijon të mbetet pozitiv, ku 6-mujorin e parë investimet e huaja direkte arritën afro 700 milionë euro.