Pasi protestuesit thyen xhamat dhe dogjën Ministrinë e Drejtësisë, ka reaguar ministri Toni Gogu. Ai bëri të ditur se gjatë protestës u thyen xhamat dhe u dogj zyra e ndihmës juridike falas.
Gogu dënoi aktet e dhunës, duke nënvizuar se përgjegjësitë individuale do të përcaktohen nga organet kompetente, ndërsa të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë pa u identifikuar me dhunuesit.
“Sonte u thyen xhamat e Ministrisë së Drejtësisë dhe u dogj zyra e ndihmës juridike falas. Fatmirësisht, asnjë punonjës nuk është lënduar. Falënderoj zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet. Në atë zyrë vijnë njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat. Pensionistë, nëna të vetme, të rinj, viktima të dhunës. Njerëz që kërkojnë ndihmë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Djegia e një zyre publike nuk është ushtrim i së drejtës së protestës. Përgjegjësitë individuale u takon t’i përcaktojnë organet kompetente, sipas ligjit. Por dua të jem po aq i qartë për diçka tjetër. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punën dhe të ardhmen e tyre. Ata nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me personat që po përdorin dhunë.
Nesër, ndihma juridike falas do të vazhdojë. Qytetarët do të mund ta marrin shërbimin te Hyrja e Ministrisë së Drejtësisë / 0800 10 10. Zyrën do ta rindërtojmë. Shërbimi nuk ndalet“, shkroi ministri i Drejtësisë.
