Në konferencën me gazetarët që po mbahet në kryeministri ka folur edhe Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku e cila dha më shumë detaje për krizën e energjisë.
Balluku deklaroi se po ashtu si karburanti, edhe çmimi i energjisë do të vazhdojë të rritet. Ajo u shpreh se në muajin mars pritet që energjia do të blihet me 500 euro, ndërsa parashikohet që të shkojë në muajt në vijim deri në 1 mijë euro për megavat orë.
“Ne përdorim gjithmonë kaskadën. Megjithatë ky do të vazhdojë të jetë një vit i thatë. Sot po blejë në treg me 550 euro megavat dhe pritet rritje. Do të desha që çfarë thashë deri tani ta përkthej në shifra. Në muajin shkurt është blerë me 230 euro dhe pritshmëria për muajin mars do të jetë 500 euro pra dyfish i asaj që kemi blerë në janar.
Parashikimi për blerjen në muajin mars me çmimin që ju thashë është 100 milion euro ndërsa në prill është 134 milion euro. Në total deri në muajin e katër të këtij viti do të arrijë deri në 320 milion euro. Pritet që çmimi të shkojë mijë euro për megavat”, theksoi Balluku.
Ndërkaq kryeministri Rama bëri të ditur ngritjen e një komisioni të posaçëm për përballimin e pasojave të luftës Rusi-Ukrainë. Sipas asaj që deklaroi Rama, vendi ynë nuk rrezikohet nga ndonjë agresion ushtarak, por ai ekonomik.
