Dihet tashmë që prej javësh Liga e Kategorisë Superiore ka vendosur të bojkotojë komapionatin deri plotësimin e katër kushteve të paraqitur dhe të adresuar drejt qeverisë dhe parlamentit.
Ditën e djeshme deputeti Fidel Ylli, së bashku me Ministren e Financave, Anila Denaj pritën në takim përfaqësues të Ligës, por këta të fundit vendosën të mos paraqiten, duke kërkuar të flasin vetëm me kryeminstrin Edi Rama, që sipas tyre është i vetmi, që mund të vendosë mbi këtë çështje.
Ditën e sotme ka ardhur një reagim nga ana e ministres së financave, Anila Denaj. Kjo e fundit kërkon që futbolli të mos jetë mjet shantazhi dhe analizon kërkesat e klubeve, duke treguar qartë se ç’mund të bëjë dhe ç’nuk mund të bëjë qeveria në lidhje me këtë çështje.
“Dje nuk ka pasur një komunikim dhe sot dalim publikisht për dy arsye. E para për kërkesat dhe çfarë ka bërë qeveria Rama për sportin në vitin e fundit. Futbolli nuk mund të jetë mjet shantazhi. Kërkesat për investim janë.
Nuk është viti i duhur, nuk e pranuam as vjet. Nuk e kemi pranuar edhe vjet. Në ligjin e tatimit të të ardhurave kemi miratuar dy ndryshime. Kemi rritur nga 3 në 5 për qind shumën e zbritshme. Së dyti, për çdo kompani me shpenzim mbi 100 milionë lek, njohim trefishin e sponsorizimit. Kjo është një zgjidhje për financim të shëndetshëm.
Kemi folur për formalizim. Është një përpjekje e qeverisë prej ditës së parë. Kemi folur për informalitetin në tregun e punës, ku nuk bën përjashtim as futbolli. Kuptojmë nevojën për kohë dhe kemi miratuar që për dy vite të mos njihet tatimi mbi pagën. Kërkesa është që të bëhet 10 vite, por është një kohë shumë e gjatë.
Kërkesa e tretë është ajo e faljes së kamatave. Ndihemi krenarë që për energjinë, që u formalizua dhe e justifikoi faljen e kamatëvonesave. Jemi të hapur për të diskutuar. Kërkesa tjetër lidhet me TVSH-në, nga 20% në 6%. E kemi miratuar këtë vit për të gjitha ndërtimet në ambiente sportive. Të kërkosh për çdo shërbim, bëhet fjalë për një kërkesë shumë të zgjeruar”, u shpreh ministrja.