Në mbyllje të vizitës në Gjermani, zv.kryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla mori pjesë në diskutimin me përfaqësues të institucioneve gjermane, deputetë të Bundestagut dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Fondacioni “Körber”. Mësohet se Gërvalla foli për arritjet e Kosovës gjatë vitit 2023, duke e cilësuar si vitin më të suksesshëm jo vetëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por edhe për zhvillimin ekonomik. Ministrja foli edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit. Gërvalla tha se shqetësimi i saj është se që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu Kosovë-Serbi, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishin temat e tjera, rreth të cilave ministrja Gërvalla bashkëbisedoi me të pranishmit.
“Ky takim ishte një mundësi e mirë e bashkëbisedimit, ku gazetarë të mediave të ndryshme, në një takim prapa kamerave, patën mundësi të informohen rreth aktualitetit politik në Kosovë, politikën e jashtme dhe të ardhmen e saj euroatlantike”, njofton ministria e Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë.