Apelit të presidentit, Ilir Meta që kërkonte nga Ministria, prefekturat dhe bashkitë në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje ka marrë reagimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Është Ministrja, Milva Ekonomi që ka ftuar në takim drejtues të DRUK, që mbulojnë të gjithë infrastrukturën ujore në vend.
Në takim, Ekonomi ka kërkuar prej tyre që të mos ndërpritet energjia elektrike, pasi në të kundërt do të kishte bllokim të ujit dhe rrjedhimisht edhe përmbytje.
“Thirra në takim DRUK që mbulojnë të gjithë infrastrukturën ujore të vendit, për përballimin e kësaj periudhe intensive me reshje. Gadishmëri totale dhe koordinim me aktorët e tjerë lokal për të bashkërenduar punët.E rëndësishme është furnizimi pandërprerje i hidrovoreve me energji,” shkruan Ekonomi.
Prej ditësh IGJEUM ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, ku problematike konsiderohen zona e Shkodrës, Vlorës dhe Fierit.

