Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e djeshme në seancën plenare, projektligjet “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur si antimafia dhe ndryshimet në ligjin “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”.
Të dy këto ligje janë shumë domethënës pasi njëri rregullon funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa i dyti synon përshtatjen me paketën ligjore në kuadër të reformës në drejtësi. Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, sqaroi ndryshimet në ligj, që mes të tjerash parashikojnë që dhënia e së drejtës për përgjim, nga Prokurori i Përgjithshëm, t’i kalojë kryetarit të Gjykatës së posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ose në mungesë të tij zëvendëskryetarit. Ligji i ndryshuar parashikon procedurat për përgjimet parandaluese të komunikimeve elektronike si dhe survejimin dhe përgjimin e bashkëbisedimeve në ambiente private dhe publike nga institucionet që kryejnë veprimtari informative, si dhe procedurat që duhet të ndiqen nga autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, në rend dite ishte përfshirë dhe miratimi i fondit për financimin e partive për zgjedhjet parlamentare të qershorit, si dhe votimi i pr/rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2016”. Ndërkohë që, me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në rendin e ditës së seancës së djeshme u përfshinë dhe një numër pr/ligjesh te tjera, te lidhur kryesisht me projekte në infrastrukturë. Gjithashtu në seancën plenare janë votuar edhe disa projektligje të tjera me shumicë votash. E vetmja votë që mungoi ishte ajo e deputetit Shpëtim Idrizi.
Projektligji për përgjimet dhe antimafia Projektligjet e miratuara janë diskutuar më parë në Komisionin e Ligjeve.
I gjithë debati për ligjin për përgjimet është përqendruar te kompetencat e institucioneve mbi autorizimin e përgjimeve. Aktualisht ishte Prokurori i Përgjithshëm ai që vendoste gjithçka, pasi ka bërthamën e pajisjes së përgjimit. Mirëpo në diskutimet e javës që shkoi në komision është vendosur që të drejtën për përgjime ta ketë kryetari i Gjykatës së Apelit në SPAK. Miratimi i ligjit do të thotë se kryeprokurori do rrudhet nga çdo lloj kompetence. Kjo bëhet me qëllim që të vihen në përgjim pushtetarët e lartë kur ka raste për korrupsion. Sapo të ngrihet SPAK, të gjithë ata politikanë, ministra e ish-ministra që dyshohen për afera, mund të vihen në survejim nga SPAK, shkruan ‘Sot’.
Nga ana tjetër i janë bërë një sërë ndryshimesh ligjit, pas vërejtjeve të Ministrisë së Drejtësisë. Vetë politika duket se ka amnistuar veten, pasi u ra dakord që përgjimet të jenë vetëm elektronike, pra përgjimi i telefonave dhe komunikimet në internet. Vetëm në këto raste mund të ketë survejime dhe të shërbejnë si prova.
Ndërsa jo më larg se e mërkura në komisionin e ligjeve u shqyrtua u miratuan projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur si ligji antimafia. Risia që solli ligji në lidhje me faktin se viktimat e trafikut dhe krimit të organizuar do kishin një vëmendje absolute dhe kësisoj do të dëmshpërbleheshin prej shtetit. Pas diskutimeve me grupet e interesit, ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT u ra dakord që neni 12 të tërhiqej nga teksti i ligjit. Sipas ligjit, organi i akuzës përpara se të hapë hetim ndaj familjarëve të subjektit i cili është duke u hetuar, duhet të ketë të dhënë të dobishme që të filloi hetime ndaj tyre./TiranaNews/