Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, mëngjesin e sotëm ka shtuar prezencën në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Gazetarët e “Radios Evropa e Lirë” kanë raportuar për prani të shtuar të KFOR-it në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna ku ditëve të fundit ka pasur rritje të tensioneve. Serbët lokalë të këtyre komunave janë mbledhur më 29 Maj për të kundërshtuar sërish kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 Prillit.
Më 26 Maj, grupe të serbëve lokalë dhe Policia e Kosovës u përleshën, teksa kryetarët e rinj komunalë hynë në ndërtesat komunale. Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga vendimet, dhe të mos tentojë të “hyrjen me forcë” në ndërtesat komunale, teksa Prishtina ka mbrojtur qëndrimin se kryetarët e rinj duhet të shkojnë në zyrat e tyre.
Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, më 28 Maj i bëri thirrje Kosovës që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues” në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por çdo opsion tjetër do ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.
Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe partisë më të madhe të serbëve të Kosovës dhanë dorëheqje. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. /REL/
