Nga Mero Baze
Nuk kam ndonjë ide se çfarë mund të bëjë SPAK me Sali Berishën. Nuk dua t’i krijoj vetes pritshmëri, se SPAK do hetojë kapjen e shtetit në një skemë klasike, siç është kjo e privatizimit të klubit Partizani, ku babi kryeministër ka lëshuar vajzën e tij nëpër zyra dhe dhëndrin në arkivë të shtetit, njëri për të shqyer letrat e vërteta e për të paraqitur ato fals, e tjetra për të bërë procedura të shpejta privatizimi dhe për të rritur pjesën e burrit të saj nga 5 për qind aksioner, në 60 për qind përfitues në fund, me arsyetimin që të tjerët i “falin pjesë nga prona”, se ky bën letra me firmën e vjehrrit.
Është e qartë që jemi para një skeme tipike të kapjes së shtetit, e cila ka qenë mes të tjerash dhe një kriter për karrierën e ministrave të Mbrojtjes në atë vend. Gazmend Oketa që u tregua i ngathët e u zëvendësua nga Arben Imami, i cili e meritoi plotësisht rehabilitimin, me shpejtësinë me të cilin ua ktheu.
Por siç e thashë, nuk dua të krijoj ndonjë pritshmëri nga prokuroja e çështjes, që do tregohet roje e interesit publik në këtë pikë. Për më tepër që disa prej bashkëpronarëve të dhëndrit të Sali Berishës, janë ende në konflikte juridike me të, për pjesën që u ka marrë.
Por ajo që tani është ngjarje e sigurtë, është që edhe për Sali Berishën ka një herë të parë përballë drejtësisë. Dhe kjo nuk është pak për drejtësinë e re shqiptare. Boll t’u kujtoj që drejtësia e vjetër nuk guxoi as ta thërriste si dëshmitar për vrasjet e 21 janarit, edhe pse ai mburrej ekraneve se i vrau 3 dhe mund të vriste dhe 3000. Nuk e thirri as kur ngrefosej si gjel se do vriste dhe Edi Ramën me snajper. Nuk e thirri pse fshiu serverin e Kryeministrisë duke prishur provat, dhe as kur kundërshtoi dorëzimin e gardistëve të dyshuar si vrasës për hetim.
Nuk guxuan të thërrasin djalin e tij pas tragjedisë së Gërdecit, edhe pse gjurmët e gjakosura të asaj historie të çonin në shtëpinë e tij. Nuk guxuan ta thërrasin për asnjë ngjarje korruptive dhe kriminale që mban firmën e tij, siç ishte dhe kontrata e vajzës së tij, që i ofronte një biznesmeni të huaj, një koncesion për TEC në Porto Romano, kundrejt 3 për qind ‘fee sucsses”
Sot i ka shkuar fletëthirrja. Kjo është një histori e re. I ka shkuar nga një prokurore e panjohur shumë për publikun, e cila thjesht është duke kryer procedurën e hetimit. Pas 30 vitesh, drejtësia shqiptare ka shkuar nga mos prekja e politikanëve të lartë, tek thirrja e tyre për hetim. Ky është hapi i parë që e provon këtë.
Hapi i dytë vendimtar natyrisht është hetimi për kapje shteti prej tij. Nuk di sa fuqi dhe kohë do ketë prokurorja ta bëjë këtë, por është e sigurt se prej sot miti i paprekshmërisë së Sali Berishës ka rënë. Por bashkë me të duhet të bjerë dhe miti i pandëshkueshmërisë së tij. Ndryshe ftesa për t’u ndëshkuar kthehet në ftesë për t’u pastruar.