Një 36-vjeçar ka mbetur i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri në Xhafzotaj të Shijakut. Autor i dyshuar është identifikuar si Arbër Hoxha, 30 vjeç.
Në mes të ditës, dy persona që janë konfliktuar me njëri-tjetrin paraprakisht, kanë qëlluar me armë para një dyqani që tregton aksesorë për automjete në anë të rrugës Durrës- Shijak.
Në konflikt kanë qenë të pranishëm dhe persona të tjerë, mes të cilëve dhe i plagosuri.
Gjurmët e plumbave të shumtë janë të dukshme në vendin e ngjarjes, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë Enidor Dedja, 36-vjeç nga Shijaku, shok i dy vëllezërve, pronarë të subjektit tregtar ku ndodhi ngjarja.
Ngjarja rezulton të jetë pasojë e një konflikti për motive të dobëta që ka nisur mes njërit prej pronarëve të subjektit dhe autorit të dyshuar për ngacmimin e një vajze.
Këtë të premte palët kanë vendosur të takohen “për t’u sqaruar”, por janë përfshirë në një sherr fizik dhe shkëmbim zjarri gjatë të cilit mbeti i plagosur 36-vjeçari Dedja që është jashtë rrezikut për jetën.