Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një letër dërguar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve i bën të ditur se ka zgjedhur të marrë mandatin e LSI-së në qarkun e Fierit.
“Në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, neni 67, pika 3, shpreh vullnetin tim duke zgjedhur mandatin e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun Fier”, thuhet në letrën që ajo i ka dërguar kreut të KSHZ-së, Ilirjan Celibashi.
Kryemadhi kandidoi në listën e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Në këtë mënyrë ajo i hap rrugë nënkryetarit të partisë Petrit Vasili në Tiranë që të marrë mandatin e deputetit në kryeqytet. Duke pranuar mandatin, LSI konfirmon se do të jetë me katër përfaqësuesit e saj në Kuvend në shtator.

