Milani i Paulo Fonsekës nuk e ka nisur siç dëshironte këtë edicion në Serinë A, pasi është ndalur në një barazim 2-2 në shtëpi përballë Torinos. Një barazim që erdhi në minutat shtesë pas një rizgjimi në fundin e takimit, kur në fushën e lojës hyri Alvaro Morata, debutues me gol te kuqezinjtë.
Kuqezinjtë ishin më kërkues në këtë sfidë, duke krijuar dhe shpërdoruar raste të shumta para portës së Torinos. Por miqtë u treguan cinikë, kur gjetën avantazhin falë autogolit të Çiau në pjesën e parë.
Milani insistoi dhe kërkoi me çdo kusht golin, teksa Fonseka hodhi në fushë edhe Moratan, të lënë fillimisht në stol. Me spanjollin në majën e sulmit, kuqezinjtë ishin më ngulmues, por u goditën përsëri nga një pavëmendje, me Zapata i cili dyfishoi shifrat.
Gjithsesi, ishte Morata ai që rihapi ndeshjen me një devijim të saktë në minutën e 89-të, duke bërë që Milani të hidhej i tëri në sulm. Nga ofensiva kuqezi erdhi edhe barazimi i Okafor, i cili të paktën i dha një pikë skuadrës së tij në ndeshjen e parë të kampionatit.
MILAN-TORINO 2-2
89′ Morata, 90’+5′ Okafor / 32’ (ag) Çiau, 68′ Zapata
MILAN (4-2-3-1): Menja; Kalabria, Tomori, Çiau, Salemakers; Benaser, Loftus-Çik; Çukvueze, Pulisshiç, Leao; Joviç.
Trajner: Paulo Fonseka
TORINO (3-5-2): Milinkoviç-Saviç; Vojvoda, Koko, Masina; Belanova, Lineti, Riçi, Iliç, Lazaro; Zapata, Sanabria.
Trajner: Paolo Vanoli