Pas zgjedhjes së tyre si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2017, Etleda Çifjta dhe Lulzim Hamitaj janë vënë nën hetim.
Burime për Tirananews bëjnë me dije se dy zyrtarët e lartë të KPK dyshohet se kanë probleme me pasurinë dhe janë marrë në pyetje nga oganet e drejtësisë në lidhje me burimin e të ardhurave të tyre.
Konkretisht, Byroja Kombëtare e Hetimit i ka sekuestruar komisioneres Etleda Çiftja dokumentacionin e një apartamenti në Tiranë.
Nga të dhënat e siguruara dhe që janë në dispozicion të prokurorëve specialë, janë krijuar dyshime se komisionerja Çiftja ka kryer deklarim të rremë si dhe fshehje të pasurisë.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) po zhvillon prej më shumë se një viti hetimet ndaj komisioneres së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Etleda Çiftja, mirëpo nga ky proces nuk ka ende asnjë rezultat. Kujtojmë se Çiftja ka qenë anëtare e trupës së Vetingut që konfirmoi në detyrë drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, Arben Kraja, në Dhjetor të vitit 2018, ndaj ecuria e procesit shihet si e dyshimtë.
Të njëjtat burime i thanë Tirananews.al se edhe komisioneri Lulzim Hamitaj është marrë në pyetje nga SPAK për disa orë, në lidhje me disa dyshime mbi pasurinë e tij.
