Ditën e djeshme filloi zyrtarisht vaksinimi nga COVID-19 në vendin tonë. Një proces që është shoqëruar me shumë dyshime dhe nuk ka edhe nga ata që janë skeptik për ta bërë vaksinën.
Dje në vendin tonë e para që mori vaksinën ishte mjekja e njohur, Najada Çomo dhe më pas kryeministri i vendit, Edi Rama.
Të parët që do të marrin vaksinën në Shqipëri janë mjekët që luftojnë në vijën e parë të sulmit. Vaksinat e para që erdhën në vendin tonë janë të firmës Pfizer.
Ditën e sotme u diskutua në emisionin “Shqipëria Live” rëndësia e marrjes së vaksinës anti-Covid. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Italia ishte mjeku i njohur, Albert Troci, i cili zbuloi se ka bërë vaksinën.
“Ka kaluar një javë që kam bërë dozën e parë të vaksinës. Pas 21-ditësh do të bëj dozën e dytë e kështu do të kem 92 për qind imunitet ndaj Covid. Në momentin që bëhet vaksina, doza e parë, lihet data tjetër dhe merr letrën për takimin e dytë. Doza e dytë bëhet te krahu tjetër, jo aty ku ke bërë të parën”, tha mjeku.
I pyetur nëse ka patur shqetësime pas bërjes së vaksinës, mjeku tha se nuk ka patur asnjë efekt negativ”. “Nuk kam patur ndonjë shqetësim, vaksina është ilaç dhe çdo ilaç ka ndonjë efekt të kontrollueshëm”, tha Troci.
Mjeku i njohur shtoi se mbrojtja nga vaksina anti-Covid vjen 30 ditë pasi është marrë doza e vaksinës.