Më i votuari në qarkun e Dibrës, deputeti Agron Malaj ka falenderuar përmes një postimi në rrjetet sociale të gjithë ata që e votuan dhe i besuan në Mat, Burrel, Klos, Bulqizë, Dibranë.
Postimi i deputetit Agron Malaj si më poshtë:
Të dashur MATJANË TË TREVËS SË MATIT, BURRELIT DHE KLOSIT, BULQIZAK DHE DIBRANË.
Të dashur motra e vëllezër,
Sot dua t’ju falënderoj nga zemra për besimin e dhënë. Me 11 Maj ju folët qartë: më nderuat me votën tuaj dhe më dhatë përgjegjësinë më të madhe të jetës sime – të jem zëri juaj në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky rezultat nuk është thjesht një numër. Është besimi juaj, është vlerësimi për punën që kemi bërë bashkë në këto dy mandate në Bashkinë Mat– një punë që nuk do të kishte kuptim pa bashkëpunimin, durimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme.
E dimë mirë që rruga nuk ka qenë e lehtë, por kemi punuar pa lodhje, me një qëllim: ta bëjmë jetën tonë më të mirë për çdo familje qoftë në fshat a në qytet.
Jam i ndërgjegjshëm që ky besim që më keni dhënë nuk është një privilegj, por një përgjegjësi e madhe. Ndaj, ju garantoj se modeli i Bashkisë Mat, një model pune, transparence dhe shërbimi ndaj qytetarit, do të përcillet me përkushtim në të gjithë qarkun. Pa dallime politike, pa përjashtime, vetëm me synimin për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë për çdo komunitet të Qarkut Dibër.
Faleminderit edhe ju që jetoni larg, në diasporë, por që nuk e harroni asnjëherë vendin tuaj dhe që treguat edhe një herë sa fort e doni Matin, Klosin dhe gjithë Dibrën.
Faleminderit ekipit dhe strukturave të Partisë Socialiste në Mat dhe në Klos, komisionerëve, numëruesve, simpatizantëve dhe mbështetësve në të gjithë qarkun që edhe njëherë tjetër treguan maturi, qytetari dhe përkushtim për ta bërë këtë process një festë të bukur për të gjithë.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për drejtuesit politikë të qarkut Dibër për mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë gjithë këtyre viteve dhe për vizionin e përbashkët që ndajmë për zhvillimin e kësaj zone. Një falenderim nga zemra për Partinë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama që besuan në kandidaturën time dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Dibrën me investime dhe projekte zhvillimore.
Kjo është një fitore e përbashkët – një fitore e njerëzve të thjeshtë, e atyre që besojnë se me punë, përkushtim dhe ndershmëri mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Dibrën dhe për gjithë Shqipërinë.
Së fundmi, do më lejoni të bëj një falenderim zemre për familjen time. Prindërit që na rriten dhe edukuan më vlerat e punës dhe ndershmërisë mua, vëllain dhe motrën time.
Familjen time që mirëkupton dhe justifikon mungesën time të vazhdueshme.
Ndërsa tre fëmijëve të mi u premtoj se do të bëj maksimumin tim që ky mandat i imi ti bëjë krenar, duke ju shërbyer njerzve dhe komunitetit.
Ju faleminderit me zemër!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!