Kandidatja për deputete e LSI në Durrës, Elona Guri akuzon Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi se bëri marrëveshje me socialistët në Elbasan, për t’i lënë PS-së 8 mandate.
Ndërsa PD, thotë ajo, në shkëmbim do të merrte mandatet e LSI.
Guri thotë se Kryemadhi dhe Vasili e kanë ballafaquar Bardhin me Lulzim Bashën në zyrën e këtij të fundit, në prani edhe të këshilltarit izraelit, për pazarin që ai kishte bërë me Taulant Ballën.
Elona Guri denoncon gjithashtu se Bardhi refuzoi të denoncojë në konferencë shtypi Suel Çelën, ndërsa shton se kishte dalë garant te bandat se pas 25 prillit do të ishte ministër i Brendshëm.
“Mos i jep gojës siç i jep b….. o Gaz! Ki kujdes kur flet për gjëra që nuk i di se ty nuk të qaste njeri në zyrë. Monika Kryemadhi të ka ballafaquar me Lulzim Bashën edhe këshilltarin izraelit dhe Petrit Vasilin në zyrën e Bashës se si ti kishe bërë marrëveshjen 8 mandate t’i mbante PS në Elbasan dhe ti doje mandatet e LSI dhe ti kishe dalë garant bandave se do ishe ministër i brendshëm. Ju edhe i regjistroni bisedat e ke aty regjistrimin dhe se si ti nuk pranove të bëje konferencë shtypi kundër Suel Çelës. Ti beson se këshilltari izraelit nuk kuptonte shqip se çfarë u tha aty?”, shkruan Guri.
Reagimi i Gurit erdhi pas deklaratave të Bardhit për një marrëveshje para zgjedhore me partinë e Monika Kryemadhit, ku tregoi se i kanë ofruar 15 mandate të sigurta, por kanë refuzuar, pasi pretendonin se do të fitonin të vetëm deri në 34 karrige në parlamentin e Shqipërisë.
Bardhi shprehet se nisur nga fakti që ka qenë gjatë gjithë kohës në terren, ishte i bindur se në Elbasan LSI-ja nuk merrte as 3 mandate, por shtoi se pavarësisht kësaj, kurrsesi nuk mund ta detyronin që të dilnin me një listë të përbashkët në 25 prill.
Kjo deklaratë ka sjellë menjëherë reagimin e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi e cila e ka kundërshtuar, duke e cilësuar si mashtrim pervers.
