Roma do masë forcat më 3 prill me Sampdorian në Genoa, në sfidën e vlefshme për Serie A. Trajneri i kryeqytetasve, Jose Mourinho u përgjigj pyetjeve të ndryshme të bëra në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai foli për Italinë dhe eliminimin që në fazën e Play Off të Botërorit të Katarit, duke shprehur gjithë keqardhjen e tij që në një kompeticion të madh nuk do shikojmë Kombëtaren Axurre. Kriza e futbollit në këtë vend mbetet një temë të cilën “Special One” nuk dëshiron ta ndajë me publikun.
“Eliminimi i parakohshëm i Italisë- Më vjen keq që Italia nuk është në Botëror, por nëse do të kishim ndeshje Itali-Portugali, nuk mund t’ju fsheh që do të kisha mbështetur Portugalinë. Më vjen shumë keq për një kampionat botëror pa Italinë.
Kriza e Italisë – Kam një mendim por nuk dua ta ndaj, bazohet në eksperiencën time në Itali por nuk do të ishte etike ta ndaja. Kam 3 vite që stërvitem në Itali dhe e kam gjetur veten shumë mirë, nëse dikush privatisht më pyet për mendimin tim jam në dispozicion, por nuk e them në publik” – tha ai.
