Kreu i PD-së Lulzim Basha thotë se ka mungesë serioziteti për vlerësimin e sigurisë së banesave të dëmtuara nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.
Ai është takuar me disa banorë në Qerret të Katundit të ri të cilët i thanë Bashës se për të shmangur marrjen e bonusit të qerasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj.
“Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit.”- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha.