kryeministri Edi Rama ka debatuar në Kuvend me deputetin e opozitës, Myslym Murrizi, për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por edhe për deklaratën e tij se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë organizatë kirminale të cilët i cilësoi si grupi “KÇK”, (kapim ç’të kapim) që duhet shpallur në kërkim.
Lidhur me këtë, deputeti Murrizi deklaroi se kjo “KÇK” është një sindikatë e madhe, që nuk ka brenda vetëm gjyqtarë e prokurorë, por edhe deputetë të Kuvendit, zyrtarë të administratës, të qeverisë dhe bashkisë.
Murrizi: Ajo KÇK është sindikatë e madhe, që nuk ka brenda vetëm gjyqtarë e prokurorë. Ka edhe në këtë sallë anëtarë KÇK-je, ka te PPP dhe ku të mund, në administratë, qeveri e bashki. Ke vëllezër, kunetër, motra, që i ke në KPK, KPA, e që po konkurrojnë për poste në drejtësi.
Rama: Ndryshimi mes meje dhe teje është se të dy jemi të revoltuar, por ti nuk ke adresë për revoltën, ose më keq akoma, e ke adresën e gabuar. I the ministres së Financave “a ke fuqi të kontrollosh …”. Ajo dhe administrata e saj i kanë kontrolluar të gjithë, por unë nuk merrem me emra, pasi e konsideroj turp të madh. Nuk bën vaki në asnjë vend të botës, që njerëz të zgjedhur të shfrytëzojnë foltoren e Parlamentit për të marrë nëpër gojë dhe hedhur çfarë ju vjen për goje në fytyrën e atyre që bëjnë biznes. Nuk ka në këtë vend asnjë, zero kompani, që nuk kontrollohet.