Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, po mendon seriozisht zgjidhjen me drastike të mundshme për situatën që po kalon skuadra e qytetit të tij. Në një intervistë të dhënë për Vip Sport, ai ka reaguar për dënimin më të fundit të dalë nga Komisioni i Disiplinës që dënon ekipin e Kamzës me zbritjen e dy kategorive më pishtë, ndërsa argumenton se kjo është pasoja e dashakeqësisë që ka FSHF ndaj qytetit.
Ai siguron se trajtimi në mënyrë të njëanshme po e shtyn të marr vendimin drastik, duke hequr dorë përfundimisht nga një ekip futbolli i Kamzës të regjistruar në aktivitetet e FSHF-së. Ndërsa i bën thirrje kësaj të fundit që të marrë shembull nga bota, pasi shkaku i dhunës fillon që te gjykimet dhe se arbitrat duhen dënuar gjithashtu.
Ai u shpreh se: “Nga qeveria dhe Federata e Futbollit nuk priten lajme të mira. E kanë tepruar pak. Lexova pak vendimet dhe m’u duken njëlloj si ata të kohës së Enver Hoxhës. Federata bënte dënime, pezullimet, burgosjet, Tani po mendoj edhe një herë mos është atje ndonjë nga ato të kohës së Enver Hoxhës, jep dënime si të tyret. Nuk kam parë ndonjëherë një dënim më skandaloz në këto 30 vite demokraci, se sa ka ndodhur me Kamzën këtë vit”.
Mziu tha se askush nuk është pro dhunës dhe normalisht dënojmë dhunën me çdo formë të mundshme. “Besoj që Federata gjatë gjithë kohës e kemi parë se sa bashkëpunuese ka qenë me qytetin e Kamzës. Së treti, dhënia e asaj penalltie, nuk ka specialist apo qytetar i thjeshtë që të mos e shohë që ishte një angazhim i Federatës bashkë me klubin gladiator Laçi që të japë me patjetër pikë. Shtohen 6 minuta dhe në minutën e 97 jepet një penallti e paqenë. Dhe së fundmi, besoj që në mbyllje të ndeshjes, pothuajse të gjithë futbollistët ishin kundër dhunës. Por veprimi që kreu gjyqtari me shtesën me të pajustifikueshme të ndeshjes dhe me dhënien e penalltisë, ishte jo për ta zbritur një kategori më poshtë, por me qëllim që edhe të merreshin dënime më ekstreme, apo dënime kolektive. Këto lloj dënimesh vetëm gjykatat e kohës së Enverit ndoshta mund t’i merrnin”, deklaroi kryebashkiaku i Kamzës.