Për naftën e gjetur në Shpirag si ajo e Arabisë Saudite, kryeministri Edi Rama bëri me dije se impakti i gjithë kësaj zone të re të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik do jetë i jashtëzakonshëm. Rama theksoi se është një burim i ri masiv investimi dhe financimi në organizmin e ekonomisë shqiptare. Sipas tij, përfitimi ekonomik e financiar nga kjo pasuri, do të impaktojë pensionet, bilancin e pagesave, do impaktojë sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Ajo që është e rëndësishme sot të thuhet, se ndërkohë ne kemi filluar prej një viti punën për konceptimin për ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Vendet që gëzojnë pasuri të tilla natyrore kanë fondet e tyre sovrane që janë fonde që administrojnë këto pasuri. Qëllimi është balancimi i shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga rezerva dhe vënia në dispozicion e një pjese të të ardhurave për të ardhmen.
Ne jemi në një proces pune konkrete të konsultuar me fondin sovran të Norvegjisë. Fondi sovran do të ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe për balancimin e gjithë barrës së tmerrshme të trashëguar nga e shkuara me parimin etik që kjo pasuri është qoftë e atyre që jetuan e punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në të, por qoftë e atyre që lindin sot dhe nuk patën pjesën e tyre. Fondi sovran një pjesë të të ardhurave i vendos për t’i shumëfishuar në tregun ndërkombëtar”,-tha Rama.
