40-vjeçari nga Skrapari, Gledis Nano, me një karrierë 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, si edhe i diplomuar në FBI, mesa duket nuk ishte i aftë që të prodhonte rezultatet që qeveria priste në luftën ndaj krimit, por edhe në rend dhe sigurinë publike.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u pyet nga gazetarët se çfarë çoi në të vërtetë në vendimin për shkarkimin e Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kjo ende pa bërë një vit në këtë post. Mesa duket, vrasja e 7-vjeçares në plazhin e Potamit ka ndikuar shumë.
Por disa muaj më parë, kur Nano mori detyrën ishte pikërisht ministri Çuçi ai që tha se kjo frymë e re në drejtimin e policisë vjen në nisje të mandatit të tretë qeverisës. Por mesa duket, fryma e re nuk doli efikase në këtë vend me banda, dhe me vrasës që i keni afër vetes.
Pyetje: Kur shkruat dje në Facebook ‘zero tolerancë ndaj krimi’, kishit në konsideratë shumë ngjarje të pazbardhura, shumë policë që nuk gjejnë autorë, por që bëhen bashkëpunëtorë, për mashtrimin e Potamit që thatë se shkarkuat vargun drejtues, por në fakt nuk ishte ashtu, thjesht u pezulluan e u ndanë sërish në detyra. Mendoni që ndryshimi i një emri do ta ndryshojë atë panoramë?
Bledi Çuçi: Këto që përmendët ju ka qenë një nga arsye se përse drejtuesi i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkon një reagim më të fortë ndaj gjithë këtyre fenomeneve e menaxhim më efikas.