Protesta “Jo në emrin tim” do të vijojë sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shënuar natën e tetë të tubimeve. Protesta nis në orën 21:00 dhe në program janë parashikuar fjalime dhe performanca.
Mes figurave që do t’u drejtohen protestuesve është këngëtarja Leonora Jakupi, ndërsa fjalim do të mbajë edhe gazetari dhe veterani i luftës çlirimtare, Resul Sinani.
Në program janë përfshirë gjithashtu organizatori i protestës, Çlirim Haziri, studentet Aolta Bajrami dhe Alma Ramaj, si dhe aktivisti Arianit Elshani.
Këngëtari Ylli Limani do të jetë i pranishëm si mysafir i mbrëmjes dhe do të performojë para të pranishmëve.
Protesta “Jo në emrin tim” është organizuar në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tubimet në Prishtinë kanë vijuar çdo mbrëmje që prej nisjes së protestës.
