NATO dhe BE i janë përgjigjur menjëherë kërkesës për ndihmë të Sllovenisë, pas përmbytjeve katastrofike. Helikopterë, ekskavatorë dhe ekspertizë inxhinierike u dërguan nga Aleanca e NATO-s. Bashkimi Evropian ofroi gjithashtu makineri të rënda dhe njësi inxhinierike. Ndërkaq ka shkuar në 6 numri i viktimave dhe dëmet janë të mëdha.
Banorët e qytetit Crna na Koroskem vijojnë punën për të hequr baltën që sollën shirat e fuqishëm ndërsa mbledhin ato pak mobilje që kanë mbetur pas përmbytjeve katastrofike.
“As që mund ta përshkruaj sa e keqe ishte kjo përmbytje. Unë nuk kam parë kurrë më parë në jetën time këtë katastrofë. Ndodhi kaq shpejt. Në 30 minuta gjithçka u përmbyt. Gjithçka që munda të bëja ishte të shpëtoja veten. Dhe pastaj gjithçka mbaroi. Ne nuk mundëm të shpëtonim asgjë pasi shtëpia jonë u shkatërrua.”
Shirat e fuqishëm kanë përfshirë gati dy të tretat e vendit për ditë të tëra. Qindra mijëra shtëpi janë shkatërruar, urat janë shembur ndërsa në disa zona uji ende nuk është tërhequr.
Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë në Slloveninë veriperëndimore dhe qëndrore. Rreth 16,000 familje vijojnë pa energji elektrike. Shumë banorë janë shprehur se këto përmbytje katastrofike që kanë përfshirë Slloveninë janë hakmarrja që natyra po i bën pakujdesisë njerëzore në të gjithë Evropën.