Dalja e tij e fundit në publik ka qenë në prill të këtij viti me rastin e 80-vjetorit të lindjes së këngëtares së madhe shqiptare Vaçe Zela.
Vajza e tyre e vetme, Irma ka bërë të ditur këtë të martë korriku se babai i saj Pjetër Rodiqi mbylli sytë.
“Një yll më shumë iu shtua qiellit, për të ndriçuar edhe më fort pranë mamit.
Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi.
Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zevëndësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.
Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai.
Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithshka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka patur fatin ta njohë.
Irma Rodiqi”, shkruan ajo.
Lexo edhe- Bashkëshorti i Vaçe Zelës: Jemi njohur në një lojë bilardoje, nuk e dija që ekzistonte
Në atë intervistë të fundit, Pjetri rrëfeu jetën e tij përkrah Vaçes. ““Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje dhe kënaqësia e vetme ishin ato shëtitjet që bënim dhe në të njejtën kohë e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës. Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. Unë e njoha duke luajt bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo”, rrëfeu ai.