Ish-presidenti grek Karolos Papulias është ndarë sot nga jeta në moshën 92 vjeçare.
Me një karierë të gjatë politike,Papulias ka shërbyer në disa poste të rëndësishme. Ai u zgjodh si deputet që prej vitit 1977 deri në 2004.
Në vitet 1985-1989 ka shërbyer në postin e ministrit të jashtëm. Ai njihet si politikani i lartë grek që theu akullin e izolimit mes Shqipërisë komuniste dhe Greqisë.
Në vitin 2005 ai u zgjodh president i Greqisë,post të cilin e mbajti deri në vitin 2015.
Papulias ishte një figurë e dashur për grekët ,çka u pasqyrua edhe dy votimet për zgjedhjen e tij në postin më të lartë të vendit me mbi 95% të votave të parlamentit helen.
Në 2007 këshilli i bashkisë së Gjirokastrës i ka akorduar titullin e lartë “Qytetar Nderi” për kontributin që ka dhënë në marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë e Greqisë.
Përpos një lidhjeje personale me popullin shqiptar, ku siç ka deklaruar vetë, se ka pirë qumësht nga një nënë shqiptare në vitet 1923 -1924, Karolios Papulias është personaliteti dhe politikani që kontribuoi i pari për shkrirjen e akujve mes të dy vendeve në prag të përfundimit të luftës së ftohtë.
Si ministër i jashtëm i Greqisë, Papulias ishte nismëtar për rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe hapjen e pikave të para të pikëkalimit kufitar në vitin 1985. I lindur fare afër kufirit shqiptaro-grek, në Voshtinë, Papulias më mirë se kushdo tjetër njihte dhe promovonte trashëgiminë e mrekullueshme të marëdhënieve mes të dy vendeve.

Origjina shqiptare e Papulias
Sipas një shkrimi të botuar në gazetën Republika në Gusht të vitit 1995 shkruhet se: “Karolos Papulias është me origjinë të pastër shqiptare. Babagjyshi i tij quhej Sulejman dhe i përkiste fesë islame dhe ishte nga fshati Voshtina”. Këtë e deklaroi arvanitasi i shquar tashmë i ndjeri Aristidh Kola. Në librin e Kolës “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, në faqe 195 e lexojmë emrin e Sulejman Papulies. Nga librat e botuar në shek. XIX dalin të dhëna se njëri nga pushtetarët e Prevezës quhej Tahir Papulia. Por këto janë të dhëna për të cilat duhet të shkruajmë herë të tjera më gjerë. (Interesant është fakti se edhe emri Karolos nuk është një emër grek, por gjerman. Me këtë emër quheshin Despoti i Epirit në shek. VX, italiani Karolos Tokos i Parë dhe i Dytë).
Kryetari grek Karolos Papulias ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak çamin Fuat Boçi, dhe midis tyre ruhet ende një miqësi e mirë. Gazetarja Marina Vihu, përmes një shkrimit të saj botuar në vitin 2005 ndër të tjera sjell kujtimet fëmijërore nga jeta e Fuat Boçit: “Një ditë ndërsa ishim nisur për në shkollë me Karolosin, na u kthye mendja dhe shkuam për zogj. Ditën tjetër, mësuesja na nxori të dyve para klasës dhe na i shkuli veshët kaq fort, saqë më dhembin edhe sot e kësaj dite”. Fuat Boçi po ashtu kujton të atin e Karolos Papulias, kolonelin në lirim Grigoris Papulias, i cili i nxirrte pothuaj lakuriq në dëborë, i mbulonte me të dhe pastaj i vinte të vraponin që të kaliteshin.
