Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është takuar këtë të mërkurë me 3 punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët vetëm pak ditë më parë arritën të ndalonin dhe arrestonin në flagrancë një grabitës në Tiranë, i cili po përpiqej të arratisej së bashku me bashkëpunëtorin e tij.
Duke shprehur vlerësimin maksimal, ai theksoi se ky është modeli i suksesit që duhet nxitur, motivuar dhe përhapur në të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.
“Na duhet pikërisht ky model. Modeli i një polici vigjilent, të përgatitur, profesionist, por është edhe i guximshëm e trim për të bërë detyrën. Këtë kërkojnë të gjithë shqiptarët, këtë kërkon e gjithë Policia e Shtetit dhe ky është modeli i suksesit që ne kërkojmë ta nxisim, ta motivojmë dhe ta përhapim në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit”, është shprehur Lleshaj.
Në takim mori pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili edhe ka shpërblyer punonjësit e Rrugores, me justifikimin se akti i efektivëve është shembull dhe duhet shtrirë në gjithë strukturat e policisë.
“Veprimi vullnetplotë i 3 punonjësve të Policisë ishte një veprim që ne mundohemi ta përgjithësojmë në të gjitha strukturat e policisë, jo vetëm ato të Policisë Rrugore. Për këtë, me propozim të shefit të Komisariatit dhe të drejtorit vendor të Policisë së Tiranës, unë kam firmosur shpërblim për 3 punonjësit e policisë”, tha Veliu.
