Tre ditë më parë u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare ish-trajneri i Shqipërisë, Oto Bariç. Një lajm i keq për botën e fitbollit duke qenë se kroati konsiderohet si një personazh me shumë kontribut në botën e futbollit. Sakaq, nuk kanë munguar mesazhet e shumta për Bariç, ndërsa së fundmi një mesazh ngushëllimi ka ardhur edhe nga presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të kombëtares dhe figurës emblematike të futbollit kroat, Otto Barić. Fjalët duken të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin që ndiejmë për këtë humbje.
Ai ishte trajner i klubeve në Kroaci, Gjermani, Austri dhe Turqi, duke fituar disa tituj me FC Wacker Innsbruck, SK Rapid Wien, FC Red BullSalzburg dhe GNK Dinamo. Ai gjithashtu ishte trajner i ekipeve Kombëtare të Austrisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, që ishte edhe emërimi i tij i fundit.
I konsideruar si një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit kroat të të gjitha kohërave, një legjendë e trajningut, udhëheqës dhe motivues i ekipit, trashëgimia dhe arritjet e tij, e në veçanti lidershipi i tij, personaliteti i tij dhe cilësitë e tij njerëzore nuk do të harrohen kurrë, dhe ai do të na mungojë shumë. Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, unë dëshiroj të përcjell ngushëllimet tona më të ndjera për Federatën Kroate të Futbollit, dhe për familjen, miqtë dhe të dashurit e Otto-s”.
