Dy efektivë policie kanë humbur jetën brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja” (Burgu 313) në Tiranë, në interval kohor të shkurtër, njëri pas tjetrit.
Fillimisht ka ndërruar jetë Zog Muhametaj, 62 vjeç, i lindur dhe banues në Tropojë. Ai kishte nisur punën në sistemin e burgjeve në vitin 2015, ndërsa që prej vitit 2023 shërbente në IEVP “Jordan Misja” si specialist informacioni me gradën komisar.
Sipas të dhënave, rreth orës 21:36, gjatë ndërrimit të turneve, Muhametaj po zhvillonte instruktazhin me stafin që do të merrte shërbimin, kur papritur humbi ndjenjat. Brenda pak minutash mbërritën mjekja dhe infermierja e institucionit, të cilat konstatuan se ai ishte pa puls dhe pa shenja jete. Më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, i shoqëruar nga infermierja e burgut, ku mjekët tentuan ta rikthenin në jetë, por pa sukses. Të gjitha veprimet e stafit në institucion janë dokumentuar nga kamerat e sigurisë.
Ndërkohë, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore për këtë ngjarje, një tjetër punonjës i institucionit, Pëllumb Vrana, 62 vjeç, banues në Tiranë dhe me detyrë teknik i kamerave, pësoi gjithashtu një problem shëndetësor.
Rreth orës 00:00, ai ndodhej në zyrën e drejtorit të institucionit, së bashku me Drejtorin e Policisë, Shefin e Sektorit të SHKB-së dhe Shefin e Sektorit të Kamerave në Drejtorinë e Policisë, duke verifikuar pamjet filmike. Në një moment, Vrana humbi ndjenjat. Të pranishmit dhe infermierja e institucionit i dhanë menjëherë ndihmën e parë dhe, pasi iu rikthye pulsi, ai u dërgua me ambulancën e institucionit në Urgjencën e QSUT-së. Megjithatë, rreth orës 01:00, ai humbi jetën.
