Shkëlzen Gashi po e priste me padurim këtë fundjavë. Sulemusi 32-vjeçar, ishte bërë gati për një sfidë shumë interesante, ndaj klubit ku mori famë në Zvicër dhe ku u bë për herë të pare golashënuesi i kampionatit. Arau ku ai aktivizohet tani, kishte në kalendar një ndeshje kundër Grasshoper, klub ku mori famë disa vite më parë. Por COVID-19, siç ka ndodhur shpesh kudo, prishi planet e ish-sulmuesit të përfaqësueses shqiptare.
Infektimi i një futbollisti të Arau me virusin ka bërë që si masë parandaluese, në pritje të tamponëve të pjesës tjetër të skuadrës, takimi i sotëm të anullohej dhe të shtyhet për një datë tjetër. Për Gashin do të ishte një kthim në kohë, i shumëpritur sidomos në një moment kur ai ka gjetur përsëri vazhdimësinë para portës, pasi ka shënuar 6 gola në 8 ndeshjet e deritanishme në kampionat.
“Sigurisht që statistikat janë të mira. E di që mund të duket budallallëk, por unë mendoj se kam më shumë për të dhënë. Plani im që në fillim ka qenë që të kthehem dhe të vazhdoj aty ku e kam lënë në Zvicër”, tha sot sulmuesi. Në Zvicër janë të sigurt se kjo do të thtoë që do të kthejë Arau në pretendente për ngjitjen në elitë, për të lënë përsëri shenjë me golat e tij atje në këtë që mund të jetë eksperienca e tij e fundit e rëndësishme në futbollin zviceran.
