Memfis Depaj është gati që të kthehet përsëri në futbollin e rëndësishëm evropian dhe të tregojë se ajo periudhë te Mançester Junajtid është harruar dhe se ai mund të luajë në një prej klubeve më të mëdha në botë. Sulmuesi holandez, pas dështimit në Angli, shkoi te Olimpik Lion dhe atje praktikisht ringjalli karrierën e tij duke u kthyer përsëri në një golashënues të mirëfilltë dhe një prej liderëve të sulmit të përfaqësues së vendit të tij.
Por në fund të katër sezoneve me Olimpik Lionin, ai ka vendosur që të mos rinovojë dhe do të largohet në verë si lojtar i lirë drejt një skuadre tjetër. Sipas mediave spanjolle, për të është ndezur një betejë e mirëfilltë ofertash dhe kundërofertash mes Barcelonës dhe Liverpulit.
Barcelona e kërkon pasi për të është interesuar që në verën e kaluar Ronald Kuman, por asokohe u vendos që të mos shpenzohej për afrimin e një lojtari të tillë. Ndërsa te Liverpuli, Klop e sheh si një zëvendësues mëse të mundshëm të një prej treshes së sulmit të skuadrës së tij, për të cilët ka pasur oferta të vazhdueshme nga klube të tjera.
