Me anë të një Akti Normativ, Këshilli i Ministrave ka bërë dje ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim, duke rishikuar të ardhurat, shpenzimet, numrin e lejuar të punonjësve në administratën shtetërore, por pa ndryshuar shifrën e deficitit buxhetor.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme, qeveria e ka ndryshuar shifrën totale të të ardhurave të pushtetit qendror, duke kaluar në 361 miliardë e 945 milionë lekë, nga 364 miliardë e 945 milionë lekë.
Në këtë mënyrë, buxheti në dispozicion do të pësojë një ulje prej 3 miliardë lekësh nga versioni i miratuar në fund të vitit të kaluar prej Kuvendit të Shqipërisë.
Në të njejtën kohë, edhe shpenzimet shtetërore të institucioneve qendrore do të ulen në të njejtën masë. Kështu, nga 397 miliardë e 845 milionë lekë të planifikuara për këtë vit, shifra ulet në 394 miliardë e 845 milionë lekë. Po kështu, shifra është 3 miliardë lekë më e ulët.
Në këtë mënyrë, deficiti i planifikuar buxhetor nuk do të ketë ndryshim, duke mbetur në nivelin e 32 miliardë e 900 milionë lekëve.
Një ndryshim i ndjeshëm ka të bëjë me numrin e punonjësve të administratës, sipas të cilit qeveria ka lejuar një rritje në masën 355 vetë. Kështu, nga 82.100 persona, që parashikon Buxheti të punësohen këtë vit në administratë, numri i tyre do të kalojë në 82.455 tre muajt e fundit të vitit.
