Siç kishte lajmëruar dhe më herët në konferencën për tërheqjen e targave diplomatike për konsujt e nderit në Shqipëri, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj njoftoi ndryshime në kriteret për marrjen e pasaportës diplomatike.
Ai tha se janë rreth 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike kundër ligjit. “Në shkelje flagrante dhe këtij kuadri ligjor dhe administrativ në vetvete është habitshëm sot në Shqipëri ka mbi 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike kundër ligjit dhe dalin e hyjnë si personalitete me status të veçantë, deputetë, matanë legjislaturave të fundit, gjykatës të Lartë e Kushtetues që nuk e kanë kaluar vetingun e shoqërues të personaliteteve te njohura në Shqipëri kanë status diplomatik”, tha Cakaj.
Ai u ka kërkuar këtyre personave të dorëzojnë pasaportat diplomatike pasi ato do të bllokohen menjëherë dhe do të shpallen të pavlefshme. “Këto janë çudira që kanë vazhduar mëse 20 vite dhe kanë cënuar rëndë imazhin e pasaportë shqiptare në sistemin e pasaportave diplomatike. Rrjedhojë e saj është dhe hezitimi, shpesh herë dhe refuzimi i shumë vendeve evropiane dhe më gjerë për të liberalizuar reciprokisht lëvizjen bartësve të pasaportës, e si mund të flasim pastaj për liberalizimin e pasaportave të zakonshme. Shqipëria është gjithësesi një shtet shumë më dinjitoz se kaq.”, vijoi ministri në detyrë.
Lexo edhe: Pasaporta diplomatike shqiptare në pikëpyetje? Cakaj paralajmëron masa serioze
Cakaj bëri të ditur dhe ndryshimet ligjore që do t’i paraqiten qeverisë, e që përfshijnë abrogimin e VKM që jep të drejtën e pasaportës disa kategorive. “Pëmirësimi i kuadrit ligjor për kriteret e lëshimit të pasaportave është kusht i domosdoshëm për t’i kthyer dinjitetin e saj. Prandaj menjëherë do i përcjell qeverisë për vendim abrogimin e VKM që i jap të drejtën e pasaportës drejtuesve e anëtar të bordeve, udhëheqësve të enteve dhe autoriteteve rregullatore deri tek shoferët e institucioneve të caktuara. Plani i veprimit për të gjitha hapat e mëtejshëm për ndryshimin e kuadrit ligjor dhe administrativ për lëshimin e pasaportës diplomatike është gati dhe në përputhje me standardet më rigoroze”, tha Cakaj.