Kuvendi mblidhet sot në orën 17.00, në seancën që çel sesionin e ri parlamentar. Prioritetet janë të qarta, reforma territoriale, ajo zgjedhore dhe ligjet e integrimit, por rruga për t’i finalizuar ato vijon të jetë e ndarë për mazhorancën dhe opozitën.
Përplasjet e para nisën në Konferencën e Kryetarëve këtë paradite. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe anëtarët e tjerë të opozitës kërkuan një listë të ligjeve të integrimit dhe që në këtë sesion mazhoranca të heqë dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme, siç është reforma territoriale.
Në përfundim të konferencës së kryetarëve, kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se reforma territoriale do të jetë kryeprioritet ndërsa puna e deputetëve do të fokusohet edhe te “Besa” e “Prania Besnike” për të cilat kryesocialisti Rama u ka lënë detyrë takimet me qytetarët çdo të premte në orën 17:00.
Pavarësisht thirrjeve të palëve për konsensus në këtë sesion të ri, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, u mbyll duke mos gjetur dakordësi as për kalendarin e punimeve, i cili kaloi për miratimin në seancën e parë që çel sesionin sot pasdite.
Pavarësisht mos-dakordësisë, në kalendar janë përfshirë edhe nismat e opozitës për anulimin e disa ligjeve, që vijnë si kërkesa të protestave qytetare.
Seanca pritet të hapet me një fjalë të kryeparlamentarit Niko Peleshi. Në nisje të saj pritet të votohet edhe dekreti i Presidentit për ministren e re të shëndetësisë Klodiana Spahiu, pas dorëheqjes së Evis Salës.
Në nisje të seancës plenare Presidenti Bajram Begaj i dërgoi një mesazh deputetëve, duke u ndalur fillimisht te protesta qytetare, e duke shkruar se “Sfida është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira.”
Ndërsa deputetëve u kërkon që ky “sesion parlamentar të jetë një periudhë bashkëpunimi në shërbim të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të saj: një sesion që afron Shqipërinë me Bashkimin Evropian, që forcon institucionet, që forcon besimin e qytetarëve te politika dhe shteti.”
Në konferencën e kryetarëve, mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësi për projekt-kalendarin e punimeve të kuvendit, i cili do t’i kalojë për miratim seancës plenare
Në nisje të seancës, deputetët do të përballen me protesta nga qytetarët, të cilët kanë paralajmëruar grumbullimin e tyre pranë parlamentit kur të nisë seanca.
