Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes mediatike pas përballjes së tij në Gjykatë me akuzën e dhënies me koncesion të parkimeve në Vlorë.
Shpëtim Gjika ka qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës, në kohën kur është dhënë koncesioni për parkimet me pagesë për kompaninë “Tis Park”. Bashkë me të akuzoheshin edhe 7 zyrtarë të tjerë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Një çështje kjo që u pushua gati një vit më parë nga Gjykata.
Ndërkohë që ka kaluar shumë kohë Gjika është bërë nostalgjik dhe ka postuar në rrjetet sociale një foto nga koha kur vlonjatët i besuan drejtimin e bashkisë për t’u shprehur mirënjohjen qytetarëve të zakonshëm, teksa pranon njëherazi se me të është eksperimentuar.
“Respekt dhe mirënjohje pafund për të gjithë ata që besuan, mbështetën, përkrahën, fuqizuan, përçuan, votuan, numëruan dhe kontribuuan në fitoren e zgjedhjeve bashkiake Maj 2011 !
Pavarësisht gjithçkaje është “thënë” për mua, e është “eksperimentuar” me mua, ndjehem i lumtur dhe krenar që kurrë, asnjëherë nuk kam shpërdoruar me ndërgjegje besimin e kujtdo prej jush !
Faleminderit për gjithçka keni bërë për mua në ditë të mira dhe në kohë të vështira”, shkruan Gjika i cili në shkurt të 2015-ës u arrestua për falsifikim dokumentash e shpërdorim detyre edhe pse në nëntor të 2017-ës, rezultoi i pafajshëm me vendim gjykate.