Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë në Gjermani, komentoi protestën që po zhvillohet në Tiranë prej më shumë se një muaji.
Gjatë fjalës së mbajtur në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama u shpreh se protestën e konsideron një mesazh të rëndësishëm për qeverisjen e tij dhe se po përpiqet të kuptojë shqetësimet e qytetarëve.
“E konsideroj një mesazh të rëndësishëm për qeverisjen time. Po mundohem ta dëgjoj me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet. Qeveria që resht së dëgjuari, resht së qeverisuri”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se, sipas tij, gjatë zhvillimit të protestës janë përfshirë edhe aktorë dashakeq, të cilët kanë ndryshuar natyrën e tubimit.
“Ajo që dua të them është që pas gjithë kësaj të mire erdhi e keqja, erdhi biznesi dhe protesta u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq”, u shpreh ai.
