Senatori Demokrat i Kolorados Michael Bennet e ka quajtur “Tik Tok” një kërcënim të papranueshëm për sigurinë kombëtare. Ndërkohë, një anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit i ka bërë thirrje Apple dhe Google që të heqin nga lista e aplikacioneve.
Në një letër dërguar dy gjigantëve të teknologjisë të enjten, senatori demokrat i Kolorados, Michael Bennet e quan Tik Tok “një kërcënim të papranueshëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara” dhe citon të njëjtat shqetësime që kanë nxitur qeverinë federale dhe më shumë se gjysmën e shteteve amerikane për ta hequr atë nga pajisjet dhe rrjetet zyrtare.
Ndërkohë, CEO i Tik Tok do të dëshmojë para Kongresit në mars. Bennet thotë se aplikacioni sipas legjislacioneve të Kinës mund ti detyrojë përdoruesit e tyre të shkarkojnë të dhënat personale. Ligjet në fjalë, shkroi Bennet, kërkojnë që organizatat në vend të “bashkëpunojnë me punën e inteligjencës shtetërore” dhe të lejojnë qeverinë të aksesojë burimet e kompanisë.
Kina mund të përpiqet potencialisht të formësojë atë që përdoruesit amerikanë shohin në aplikacion, paralajmëroi Bennet, me implikime të mundshme për politikën e jashtme dhe demokracinë.
Kujtojmë se edhe në Shqipëri “TikTok” ka marrë një popullaritet shumë të lartë dhe njerëzit po kalojnë shumë kohë aty.
