“Nëse prova del me sukses, impakti në ekonomi do të jetë i konsiderueshëm duke nisur nga 2020”, do të shprehej në një postim në Twitter kryeministri Edi Rama në janar të këtij viti përsa i përket kërkimeve për naftë në malin e Shpiragut në Berat.
Kompania Shell nisi kërimet në mal, ku flitet për rezerva të mëdha gazi dhe nafte, dhe këtë të premte jep njoftimin e rëndësishëm.
“Testimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë. Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve). Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri”, tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin.
Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fucive nafte në ditë. Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese.
Zbulimi i Shpiragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, ku Shell ka një pozicion të rëndësishëm jo-operues.
Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre.
Zbulimi i Shpiragut u konfirmua në vitin 2013 nga pusi Shpirag-2 i cili tregoi prezencën e një kolone nafte të lehtë në të paktën 800m në rezervuar. Brenda kësaj hapësire janë identifikuar burime të tjera të mëdha hidrokarbure, ende të pavlerësuara, por që sigurojnë mundësi për aktivitete të mëtejshme eksploruese