Gjykata e Tiranës pritet të zhvillojë të enjten një seancë urgjente për rastin e një 34-vjeçareje, nënë e tre fëmijëve të mitur, e cila ndodhet në burgun e grave në Pojskë së bashku me foshnjën e saj.
Gruaja u ndalua në Aeroportin e Rinasit gjatë hyrjes në Shqipëri, për shkak të një vendimi penal të mëparshëm. Pas arrestimit, ajo u dërgua në institucionin e vuajtjes së dënimit në Pojskë, ndërsa foshnja që kishte me vete po qëndron pranë saj.
Rasti ka shkaktuar reagime publike dhe institucionale, veçanërisht për shkak të moshës së vogël të fëmijës dhe faktit se gruaja ka edhe dy fëmijë të tjerë të mitur. Sipas raportimeve, seanca e së enjtes do të shqyrtojë mundësinë e pezullimit ose ndryshimit të mënyrës së ekzekutimit të dënimit.
Për çështjen ka reaguar edhe Presidenti Bajram Begaj. Kreu i shtetit ka kontaktuar ministrin e Drejtësisë për t’u informuar mbi procedurat ligjore që mund të ndiqen për lirimin e 34-vjeçares.
Presidenca ka bërë të ditur se institucioni është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e faljes presidenciale, nëse zgjidhja nuk realizohet përmes procedurës gjyqësore. Falja nuk është dhënë ende dhe mund të zbatohet vetëm pas përfundimit të hapave dhe verifikimeve të parashikuara nga ligji.
Në burgun e Pojskës ka shkuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka kërkuar trajtimin me përparësi të rastit dhe garantimin e interesit më të lartë të fëmijës. Përfaqësuesit e këtij institucioni kanë verifikuar kushtet ku po qëndrojnë nëna dhe foshnja.
Vendimi për lirimin ose vijimin e qëndrimit të gruas në burg i takon Gjykatës së Tiranës. Nëse gjykata nuk vendos një masë alternative, çështja mund të kalojë për shqyrtim në Presidencë në kuadër të procedurës së faljes.
