Klubi Letrar “Pjetër Budi” dhe Biblioteka Mat organizuan sot promovimin e librit të tretë të autorit Hasan Pasha, gazetar, publicist dhe njëkohësisht nënprefekt i Matit.
Libri u kushtohet 200 poetëve, shkrimtarëve, historianëve, studjuesve të kësaj treve, që nga Budi i madh dhe deri te të rinjtë që shkrujnë bukur prozë e poezi.
I suprizuar për organizimin e këtij eventi Pasha thotë se:
“Nuk kisha organizuar takime për dy librat e tjerë: “Të pathënat e 30 viteve” dhe “Fisnikët e Matit”. Për arsye të ndryshme, ato mbetën pa një promovim të mirëfilltë. Ndërsa sot, zemra më është mbushur mal. Klubi Letrar “Pjetër Budi” dhe Biblioteka Mat bashkuan shumë poetë, shkrimtarë, historianë, intelektualë, njerëz të artit e kulturës, dhe lexues të pasionuar për të më bërë nderin me praninë e tyre në promovimin e librit tim të tretë: “Mati i fjalës së shkruar”.
Një ditë e mbushur me emocione dhe fjalë të bukura, që më emocionuan shumë. E ndjeva veten të vlerësuar jo vetëm nga pjesëmarrja, por edhe nga mbështetja për të vijuar rrugën e nisur. Fjalët e zgjedhura dhe mesazhet mbresëlënëse erdhën nga figura të njohura: Deputeti Agron Malaj, kryebashkiaku Myslim Zeneli, Ksenofon Ilia, Faik Xhani, Luftar Pepmarku, Bajram Canameti, Viktor Pershqefa, Elona Basha, Ermal Lala, Sefer Duka, Valentina Kurti, etj, – të gjithë kontribuan me mendimet dhe ndjenjat e tyre. Moderatori Fatmir Neli, redaktori Hamdi Hysuka dhe drejtoresha e Bibliotekës Mat, znj. Fiqirete Kurti, e prezantuan librin me profesionalizëm. Faleminderit me zemër të gjithëve! Kjo ditë do të mbetet gjatë në kujtesën time!” tha autori i librit “Mati i fjalës së shkruar”, duke premtuar se botime të tjera do të realizohen nga ai.


