Përmbyllet në mënyrë pozitive takimi historik i Uashingtonit. Presidenti amerikan, Donald Trump priti për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe homologun serb, Aleksandër Vuçiç.
Më pas ai nënshkroi dy marrëveshje të rëndësishme me secilin shtet duke synuar rritjen e investimeve amerikane për të stimuluar bashkëpunimin ekonomik mes Prishtinës dhe Beogradit. Trump falenderoi Hotin dhe Vuçiç duke e konsideruar këtë raund negociatash tepër të suksesshëm.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga Hoti u shpreh i kënaqur nga rezultati i tryezës së Uashingtonit. Kryeministri tha se hapi i radhës është njohja reciproke Kosovë-Serbi.
Edhe presidenti serb foli për zhvillime pozitive, teksa ia arriti dhe këtë herë që të shtyjë njohjen e pavarësisë së Kosovës, në ato që i cilësoi si bisedime tepër të vështira.
Negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit në Shtëpinë e Bardhë u ndërmjetësuan nga i emëruari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien.
Presidenti serb, Vuçiç ka konfirmuar se gjatë bisedimeve i ishin paraqitur projekt-propozime që përfshinin njohjen e ndërsjellë dhe se ai e kishte refuzuar një gjë të tillë. Ndërsa kryeministri Hoti nuk hodhi poshtë apo konfirmoi diçka të tillë.
