Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka nënshkruar këtë të martë marrëveshjen me autoritetet turke për blerjen e avionëve luftarakë pa pilot me firmën e njohur turke “Bayraktar”.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në ambientet e Kryeministrisë, Peleshi tha se Shqipëria po planifikon të ndërtojë edhe një flotë me avionët Black Hawk.
“Jam i sigurt se shfrytëzimi i këtyre aseteve do të rrisë parandalimin e dukurive të paligjshme. Sfidat komplekse dhe në ndryshim të sigurisë, dhe konflikti i armatosur në Ukrainë, kanë shtuar nevojën për t’u zhvilluar, modernizuar. Krijimi i kapaciteteve ndërkombëtare, mbështetje ajrore të operacioneve, duhet të jenë disa prej objektivave që do të arrihen me këta dronë Bayraktarë. Kemi bërë trajnimin e personelit ushtarak. 2023 do të jetë viti ku do të nisim të ndërtojmë flotën e Black Hawk, do ta nisim me një numër të vogël. Do ta nisim me një flotë të vogël të dronëve pa pilotë, me tre prej tyre.”
Ministri i Mbrojtjes theksoi ndër të tjera se: “Kompletimi më këto sisteme ka rendësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të aleancës, si dhe vjen në respektim të detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”.