Sali Berisha refuzon të zbatojë masën detyrim paraqitjeje për çështjen ”Partizani”, dhe oficerët e Gjykatës së Posaçme do t’i trokasin ditën e sotme sërish në derë. Berisha ka refuzuar të njihet me masën e sigurisë si edhe të paraqitet në Gjykatë, por kjo mund të rëndojë pozitën e tij.
Oficerët e GJKKO do tentojnë të njoftojnë Berishën pas disa refuzimeve nga ana e tij. Kjo pasi ish-kryeministri duhet të paraqitet para oficeres së SPAK në datën 20 nëntor. Në rast se do të refuzojë edhe në këtë datë atëherë SPAK i lind e drejta për t’ju drejtuar Kuvendit për autorizim për rëndim të pozitës së tij duke kërkuar një masë më të rëndë siç mund të jetë ajo e arrestit në shtëpi.
Berisha duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Të hënën e parë të muajit, 6 nëntor, ish-kryeministri nuk u paraqit.
GJKKO ka refuzuar ndërkohë të gjitha kërkesat e avokatëve të Berishës për shuarje mase në datën 8 nëntor si dhe për përjashtimin e Irena Gjokës, kërkesë kjo e bërë dhe më herët. Hapi i radhës i mbrojtësve të tij është ankimimi në Apelin e Posaçëm duke argumentuar se është shkelur Kushtetuta, seancë e cila ende nuk është caktuar.
