Kafe me kartë krediti nëse është mundësia që të shmangen paratë cash në dorë, personeli me klientin duhet të rrijë 1.5 metër larg si dhe dezinfektues duarsh në hyrje të çdo lokali për klientët janë disa nga masat higjieno-sanitare që baret dhe restorantet duhet të respektojnë me hapjen e tyre.
Baret dhe restorantet që pritet të hapen më 18 maj do të kenë rregulla strikte higjiene dhe dezinfektimi të vazhdueshëm në mënyrë që të sigurojnë shëndetin e punonjësve, por dhe klientëve që do të vijnë. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuar në e-albania, administratorët e bareve dhe restoranteve duhet të jenë nën monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së punonjësve të tyre dhe nuk duhet lejuar askush të vijë në lokal nëse shfaq simptoma të COVID-19 dhe ka temperaturë 37.5. Nëse punonjësit shfaqin simptomat duhet telefonuar menjëherë mjeku i familjes. Gjithashtu çdo punonjës i bar – kafesë ose restorantit është i detyruar të deklarojë te përgjegjësi nëse ka pasur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

