Masat e marra për luftimin e Covid-19, që përfshijnë distancimin social dhe izolimin në shtëpi, kanë bërë që të kaloni më shumë kohë me partnerin se zakonisht. Nëse të dy jeni duke punuar nga shtëpia, ose më keq akoma, nuk po punoni por thjesht po rrini dhe nuk keni mundësi për të dalë në mbrëmje, nuk do ishte çudi që t’ja keni ngitur nervat njëri-tjetrit disa herë deri tani. Kjo është normale, duke marrë parasysh dhe stresin që na ka përfshirë. Meqë me shumë gjasa do të qëndrojmë edhe për disa kohë në karantinë, atëherë nuk do bënim keq që të ndërmerrnim disa hapa në mënyrë që ta ruajmë lidhjen të fortë ose më mirë akoma, ta përmirësojmë.
Sipas psikologut amerikan John Gottman 4 janë sjelljet që mund të çojnë në prishjen e një marrëdhënieje, të cilat duhet t’i shmangim gjatë kësaj kohe. E para është “kritika”, pra sulmi që mund t’i bëni në çdo moment karakterit të partnerit ose gjërave që nuk ju pëlqejnë tek ai/ajo. Sigurisht që këto ditë mund t’i vini re më shumë se çdo herë tjetër por përpiquni që ti shmangni kritikat sepse do sjellin vetëm konfikt. Sidomos ato që kanë në përbërje fjalët “gjithmonë” ose “kurrë”, për shembull: “Ti kurrë nuk më dëgjon”.
Sjellja e dytë është “përbuzja”, që fare mirë mund të përshkruhet si një ofendim ndaj partnerit. E keni parasysh, kur i ktheni përgjigje shpesh me ironi, sarkazëm ose thjesht rrotulloni sytë pas diçkaje që ai/ajo thotë. Për shembull nëse është duke ju thënë diçka dhe ju pa e dëgjuar deri në fund thoni: “Ja ku fillove prapë”. Shmangeni këtë.
E treta sjellje është “qasja mbrojtëse”. Ky është kundërsulmi juaj, sa herë që partneri ju drejtohet apo ju kritikon për diçka dhe ju e përdorni si strategji për të mbrojtur veten dhe për t’u viktimizuar. Nëse ndiheni gjithmonë të keqkuptuar, të venë në faj apo në qendër të kritikave, ju e përdorni këtë sjellje në mënyrë që të thoni qe ju keni të drejtë ndërsa ai/ajo është gabim.
E fundit është “kundërshtia”. Është një sjellje ku e gjeni veten duke u përpjekur në çdo mënyrë për të mos komunikuar me partnerin , përveçse në rastet e ndonjë gjesti negativ që bëni në drejtim të tij/saj. Mungesa e komunikimit, sidomos kur hidhni poshtë çdo gjë që ai/ajo thotë, është gjithmonë negative.
Nëse doni që këtë karantinë ta ktheni në një mundësi për ta përmirësuar lidhjen, përvecse se duhet të shmangni sa më shumë sjelljet e mësipërme, mund të provoni dhe këto këshilla:
Monitoroni balancën mes bisedave pozitive dhe negative me partnerin, të paktën në një raport 5:1.
Zotërojini ndjenjat dhe qëndrimet duke përdorur sa më shumë fjali që fillojnë me “unë”, në vend që t’i drejtoheni me “ti” gjatë gjithë kohës për çdo gjë që duhet të ndryshojë.
Dëgjoni ndjenjat e partnerit dhe nëse po kaloni një krizë nga kjo situatë thuajini që nuk ka problem. Mos kaloni direkt në sulm dhe ta vini në faj për çdo gjë që bën dhe thotë.
Siguroni njëri-tjetrin që do jeni të sigurtë dhe të shëndetshëm, ju dhe pjesa tjetër e familjes. Bëni një bisedë rreth asaj që po ndodh, shikoni sa më shumë informacione të sakta.
Bëni një rutinë të re, që të përfshijë punën nga shtëpia, kohën që do kaloni me familjen dhe kohën që mund të jeni intimë me njëri-tjetrin. Gjithashtu planifikoni dhe pak kohë veç, në mënyrë që të merreni me gjërat tuaja apo të merreni me hobit në kushtet e shtëpisë.
Bëni plane për pas karantinës. Është e rëndësishme ta pranoni realitetin, kjo gjë nuk do jetë e përhershme. Planifikimi mund t’ju mbajë pozitivë dhe të sigurtë.