Të dielën do të zhvillohet seanca plenare në Kuvend, ku do të betohet presidenti i ri i vendit, Bajram Begaj.
Megjithëse bojkotuan votimin e tij më datë 4 qershor, deputeti Enkelejd Alibeaj dhe mbështetësit e tij kanë pranuar se do të marrin pjesë nesër në seancë plenare.
“Ne do marrim pjesë në seancën e nesërme në Kuvend. Seanca e nesërme është e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin e tonë për Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë. Ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorancës dhe nuk përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Por ka një ndryshim midis individit Bajram Begajt dhe Presidencës së Republikës si institucion. Kemi respektuar e do të respektojmë Kushtetutën dhe institucionet e jo individët. Jemi shumë të qartë në këtë pozicion. Edhe në 2017 kur Meta u zgjodh president PD atëherë nuk mori pjesë në votim por mori pjesë në ceremoninë e betimit”, bëri me dije ai për mediat.
Nga ana tjetër, “Rithemelimi” i Sali Berishës do ta bojkotojë ceremoninë e betimit të kreut të ri të shtetit.
