Janë zbardhur amendamentet e Kodit Zgjedhor të hartuara nga ekspertët që do t’i kalojnë grupit të punës së Këshillit Politik për reformën zgjedhore.
Sipas amendamenteve çështjet kryesore janë mandati i nënkomisionerit, i cili nga 7 vite që ishte në fillim është bërë 4 vite. Po ashtu ankimimi i procesit do të bëhet në atë që do të quhet Kolegj Gjyqësor Zgjedhor, një institucion i ri që do këtë 8 gjyqtarë. Ata do përzgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe duhet të kenë kaluar procesin e vettingut.
“Kolegji Zgjedhor Gjyqësor përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë, gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, të cilët kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve”.
Një çështje tjetër është edhe vota e emigrantëve , për të cilën do të jetë përgjegjëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë”, thuhet në nenin 24.
Sa i takon reklamave në fushatë, një nga pikat për të cilat palën kanë rënë dakord, ato do të lejohen, por me materiale të parapërgatitura.
Të gjitha këto amendime pritet t’i paraqiten grupit të punës, i cili pritet të mblidhet nesër në orën 17:00.
