Të hënën në Tiranë, 16 qershor, do të mblidhen kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP. Samiti ka për qëllim nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në BE.
Presidenti pritet të zhvillojë edhe takime të veçanta me homologë dhe liderët pjesëmarrës për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende. Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut të tij bullgar Radev kryesinë e radhës të SEECP-së. Në fund, pritet të mbahet edhe një deklaratë për shtyp nga Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev.
Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
AXHENDA:
14:30 – 15:15 Pritja e delegacioneve nga presidenti i Republikës Balrajm Begaj
15:30 – 15:40 Fjalë hapëse nga presidenti i Republikës Bajram Begaj
15:40 – 17:00 Seanca plenare e Kryetarëve të Delegacioneve Tour de table sipas rendit të fjalës
17:00 – 17:15 Miratimi i deklaratës së Samitit
17:15 – 17:30 Dorëzimi nga Presidenti Bajram Begaj, kryetar në detyrë i SEECP tek presidenti i Republikës së Bullgarisë, i cili merr kryesimin e radhës.
17:30 – 17:45 Foto familjare
17:45 – 18:30 Deklarata për shtyp nga presidenti Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidenti i Bullgarisë Rumen Radev