Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka dhënë një deklaratë të fortë pas takimit të parë të qeverisë së jashtëzakonshme, ku bën pjesë dhe opozita e vendit. Teksa politika e vendit u unifikua pas sulmit nga Hamasi, Izraeli pritet të nisë së shpejti një operacion tokësor, me 170 mijë ushtarë që presin vetëm urdhrin final për të mësyrë Rripin e Gazës.
Udhëheqësi kryesor i opozitës në vend, Yair Lapid, nuk i është bashkuar aleancës, por Netanyahu dhe Gantz në një deklaratë të përbashkët thanë se një vend do t’i rezervohej atij në kabinetin e luftës.
“Gjatë periudhës së luftës, nuk do të promovohet asnjë projektligj apo vendim i qeverisë që nuk ka të bëjë me zhvillimet e luftës. Të gjitha emërimet e larta do të zgjaten automatikisht gjatë periudhës së luftës”, thuhet në deklaratë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur numri i të vdekurve në Izrael ka arritur në 1200, ndërsa mbi 1100 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.