Nga 15 janari, të gjithë drejtuesit e automjeteve kanë mundësi ta paguajnë taksën vjetore të automjetit online, përmes e-Albania, pa u paraqitur fizikisht pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Drejtori i DPSHTRR, Kreshnik Bajraktari, thotë se menjëherë sapo bëhet pagesa online mund të shkarkohet edhe dokumenti i vulosur.
“Pagesa e taksave 100% online do të kryhet nga e-Albania me të gjitha kartat e debitit, kreditit, Visa dhe MasterCard. Drejtuesi i mjetit mjafton të kthehet me llogarinë tek e-Albania, mund të shkruajë “pagesa vjetore e taksave” dhe më tej e gjithë procedura është si gjithë procedurat e tjera tek e-Albania. Në rastet e pagesës nëpërmjet e-Albania, dokumentacioni gjenerohet automatikisht me vulë digjitale dhe elektronike”.
Për të gjithë ata drejtues mjetesh të cilët kanë vështirësi aksesi në e-Albania, mund të zgjedhin pagesën e taksave pranë zyrave fizike.
“DPSHTRR vijon të ofrojë shërbimin në sportele edhe siç ka qenë më parë, në sportelet pranë DPSHTRR”.
Sipas Bajraktarit, vetëm në orët e para të ofrimit të këtij shërbimi të ri është vënë re një interes i lartë nga drejtuesit e automjeteve.
“Efekti i këtij procesi ka një impakt shumë të madh, jo vetëm shkurton kohën, edhe atë të pritjes në radhë dhe koston. Ndihmon edhe kompanitë që kanë më shumë se një automjet. Në orët e para kemi pasur 50 aplikime, ndërsa prej shtatorit që nisi vetëm nga një institucion financiar janë afro 3 mijë aplikime”.
Aktualisht, në Shqipëri janë në qarkullim mbi 1 milion automjete.
